Friday, July 31, 2009

Djemtë e Diskos “Linaca”

Konispoli, qyteti më i skajshëm i Shqipërisë, megjithëse i lënë qëllimisht në harresë nga të gjitha pushtetet, megjithëse me rrugën ende të paasfaltuar si asnjë qytet tjetër shqiptar, po zhvillohet dhe përparon me forcat e banorëve të tij, sidomos djemve të rinj që kanë emigruar në vendet perëndimore dhe sjellin kapitalet e tyre për t’i investuar në vendlindje.

Një prej këtyre djemve konispolatë, me vizion për të ardhmen, është edhe 25 vjeçari Nori Korro, i cili, në pikën më dominuese të Konispolit në trajtën e një ballkoni natyror, përballë detit Jon dhe qytetit të famshëm turistik grek, Korfuzit, ka ngritur një lokal të tipit bar-disko. Vendodhja e tij, një kodër shkëmbore, quhet Buar. Lokali gjendet buzë një brezi pishash të buta të mbjella vite më parë nga dora e njeriut dhe tashmë të shndërruara në një pyll piktoresk.
Përbri këtij lokali ndodhen edhe varrezat e dëshmorëve të mbuluara nga një gjelbërim i përhershëm i rrënjosur dhe zbukuruar prej dorës njerëzore të mjeshtërve konispolatë në atë truall shkëmbor.

Lokali është një konstrukt i thjeshtë, një godinë sa e vogël me beton e tulla nën hijen e pishave, rreth e rreth me verandë të mbuluar me kashtë e me pëlhurë, po aq dhe e frekuentuar, pothuajse çelur gjatë 24 orëve, sidomos gjatë verës.

Frekuentohet nga të gjitha moshat, kryesisht nga të rinjtë dhe të huajt që vijnë me pushime a rastësisht në Konispol. Është një pikë e vogël turistike gjithë gjallëri, tejet shlodhëse dhe tërheqëse.

Për shkak të mbulesës së verandës me kashtë, njëlloj si baret e vogla turistike të plazheve të virgjëra, ku nuk lejohen ndërtimet e tipit betonarme, banorët e Konispolit e kanë pagëzuar me humor lokalin e Norit: Disko “Linaca”.

Kështu po e quajmë edhe ne përkohësisht derisa Norit t’i krijohet mundësia për të investuar më shumë, për ta rikonstruktuar dhe për t’i vendosur një emër që e ka për zemër.
Frekuentojeni këtë lokal të vogël turistik dhe do të mbeteni të kënaqur si rrallëkund.

Endri HYSA

No comments:

Post a Comment